INTERVISTA/ Intervistë me drejtoreshën e shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, znj. Lumturi Çela

· FLASH
Autorë

Lumturi CelaEkskluzive ALBANEWS

Matura Shtetërore, një fat për ata që janë në vit të parë dhe një zhgënjim për ata në vit të fundit

Shkolla e mesme “Ismail Qemali”, ku mësojnë rreth 1720 nxënës. Një mbipopullim nxënësish, pasi ajo është projektuar për një kapacitet me jo më shumë se 800 nxënës. Edhe kjo shkollë, ashtu sikurse të tjerat në të gjithë vendin, ka problemet e saj, por stafi pedagogjik, nën drejtimin e drejtoreshës Lumturi Çela, është munduar t’i minimizojë ato. Në një intervistë të dhënë për gazetën tonë, drejtoresha Çela shprehet se problem është dhuna që nxënësit i shkaktojnë njëri-tjetrit. Për këtë arsye, ajo shprehet se në shkollë është punësuar edhe një psikologe. Problem tjetër, sipas saj, është mbipopullimi, mospasja e një numri më të madh laboratorësh, por, në fund të fundit, sipas saj, shkolla “Ismail Qemali” në Tiranë mbetet të jetë më e mira, me një nivel të lartë përgatitor të nxënësve dhe me laboratorë për çdo lëndë dhe gjithnjë në funksion. Ajo nuk e fsheh një kritikë për Maturën Shtetërore, duke thënë ky sistem nuk duhet të vlente për ata që janë në fund të së mesmes, por për ata që janë në vitin e parë të saj.

Zonja Çela, cilat janë vështirësitë me të cilat përballet sot shkolla juaj?

Shkolla është pjesë e shoqërisë dhe është pjesë e Shqipërisë. Unë mbroj idenë që problematika është ajo që ka e gjithë shoqëria shqiptare. Të gjitha të minimizuara ose jo, i gjen brenda në shkollë. Problemi i shoqërisë shqiptare është mungesa e një lloj edukimi, është droga, alkooli, janë edhe shumë probleme të tjera që ne i vuajmë. Patjetër që shkolla do të jetë një pjesë që i mbart këto elementë. Por, unë përsëri do të ndërhyja për të thënë se shkolla nuk është tipikja e problemeve. Shkolla është pjesa ku reziston me ore ose me pahir për t’u përballur dhe për të mos u asimiluar nga e keqja e përgjithshme. Unë këtë mund ta jap me statistika. Në shkollën time, studiojnë 1720 nxënës. Nga ato ndërhyrje që kam bërë unë, statistikat dhe studimet me anë të psikologes dhe mësuesve, kam arritur në përfundimin se ka gjendje sociale të ndryshme. 42% e studentëve janë të ardhur, janë të lindur jo në Tiranë. Pjesa tjetër është e lindur në Tiranë, por sërish nuk dihet se çfarë përbërjesh ka. Megjithatë, mendojmë, kjo pjesa 42% mund të mbart probleme sociale nga më të ndryshmet, sepse janë problemet e familjes dhe sigurisht, që brenda shkollës janë importuar edhe këto probleme. Por, shkolla bën maksimumin e mundshëm që jo vetëm t’i mësojë këta fëmijë, por edhe t’i edukojë. Kështu që shkolla reziston ndaj së keqes së përgjithshme. Një statistikë tjetër është sa i përket nivelit e aftësisë së nxënësve. Sipas statistikave që kemi, rreth 500 nxënës janë të nivelit shumë të mirë, me rezultate më shumë se 9.5. Kjo është një domethënie. Atëherë, pjesa shumë e mirë e shëndoshë është në shkollë përsëri, madje me interesa shumë të mëdha; me interesin për të mësuar. Janë 35 nxënës të vlerësuar nga të jashtëm që do të thotë me medalje, me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Me certifikime të vendeve të ndryshme në olimpiada, në konkurse brenda dhe jashtë vendit, por jashtë shkollës. Kjo do të thotë se janë vlerësime reale të marra nga këta nxënës. Gjithashtu, janë 25 nxënës me të gjitha 10, janë nxënës të shkëlqyer që marrin dy ose tre olimpiada. Kjo tregon se ka një interes, ka një element shumë pozitiv brenda në shkollë. Unë këtu do të hapja një parantezë dhe do të dëshiroja që edhe media elektronike ose e shkruar, duhet të jetë shumë e interesuar për të evidentuar këtë vlerë. Sepse ajo pika delikate që po vuan shoqëria dhe që është e trashëguar, është indiferenca, braktisja, heshtja, mungesa e vëmendjes ndaj njerëzve, të cilët meritojnë shumë.

Është edhe një konstatim nga të huajt, sipas të cilit Shqipëria është një vend i cili nuk i vlerëson të rinjtë përparimtarë, ndaj në këtë mënyrë këta përgatisin të ardhmen e vendeve të tjera. Sa e vërtetë është kjo, sipas jush?

Mua më shqetëson shumë ky fakt. Mua më duket sikur ne e kemi trashëguar këtë që nga e kaluara. Ndoshta edhe dy shekuj më parë. Njerëzve të ditur u duhej të iknin nga Shqipëria që të bënin emër. Dhe shanset janë që ata nuk e kanë mohuar vendin e tyre. Po, pse të ndodhë kjo? Pse duhet që ne shqiptarët, që kemi nevojë për ta, të jemi indiferentë ndaj tyre. Unë kam bërë programe të veçanta për të vlerësuar këta individë. Kam bërë dy takime, kam kërkuar sallën “Pjetër Arbnori” dhe i kam vlerësuar një për një të gjitha evenimentet e shkollës. Kam kërkuar që këto të publikohen edhe në media dhe, deri diku, e kam realizuar. Megjithatë, unë bëj kaq sa mundem për shkollën time, por do të dëshiroja që edhe media të kishte një program për këtë. Është patriotike që të evidentohen vlerat kombëtare. Këta janë ata që nesër do të jenë gazetarët e ardhshëm, do të jenë politikanët e ardhshëm, do të jenë shoqëria e ardhshme. Ndryshe, këta, duke iu mbyllur dyert, do të shkojnë jashtë vendit dhe nuk do të kthehen më. Më pëlqeu shprehja që thatë në pyetje, “do të bëjnë vërtet të ardhmen e dikujt tjetër”. Ne i kemi këto. Mendoni: Vetëm në një shkollë të Shqipërisë ka kaq vlera, i mjaftojnë vlerat që ka për të qenë ajo që duhet të jetë.

Duke qenë se shkolla juaj është një ndër më të mëdhatë në Tiranë, cilat janë kushtet në të cilat studiojnë këta nxënës sa u përket laboratorëve dhe klasave?

Kushtet janë të kufizuara. Në shkollë mësohet akoma me shkumës dhe dërrasa të zeza të thjeshta. Shkolla jonë, mund të them që është ndër më të privilegjuarat sa i përket pasjes së laboratorëve. Ne kemi nga një laborator në të gjithë zërat; Fizikë, Biologji, Kimi etj. Janë dy laboratorë informatike. Stafi pedagogjik dhe drejtoria janë gjithnjë të interesuara që asnjë nga laboratorët të mos jetë jashtë funksionit. Ata gjithmonë janë funksionalë. Por, të mendosh që me këtë sasi numerike që ka shkolla, që i bie për të njëjtën lëndë, në një orë gjashtë klasa mund të kenë mësim, si mund të funksionojë një laborator për gjashtë klasa me nga mbi 50 nxënës? Kjo do të thotë se mbetemi tek shkolla e dikurshme. Megjithatë, do të citoja faktin që interesi për shkollën time nuk ka rënë. Mund të dalin të tjerë që ta kundërshtojnë këtë ide. Unë e mbroj idenë time. Nuk ka rënë interesi për shkollën. Nëse shkollat janë mbyllur në veri apo në provinca të ndryshme, përderisa në shkollën time 42% janë të ardhur, kjo do të thotë se ata kanë ardhur në këtë shkollë. Unë nuk kam një shkollë me një kapacitet me rreth 1800 veta. Normalisht, 800 veta duhet të ishin në këtë shkollë për të qenë normalë në të gjithë elementët. Atëherë njerëzit vetëm kanë lëvizur. Arsimi i mesëm nuk është i detyruar. Fakti që në këtë shkollë ka shumë kërkesa për të ardhur, vlerësojnë disiplinën dhe shumë elementë të tjerë që i ofron shkolla. Por, kemi shumë deficite në metodat e mësimdhënies, tregun, se këtu ka vërtet vlera. Nuk mund të bëhet fjalë për elementë bashkëkohorë në një klasë me 50 vetë. Sado bashkëkohore të jetë ajo, sado kuptim pozitiv të ketë mësuesi, dhe në të vërtetë kjo është një karakteristikë e mësuesve tanë, përsëri nuk arrin dot. Në shkollën tonë asnjë mësues nuk mund të bëjë dot asgjë veç mësimit. Por dua të them se ka një mënyrë për t’i mbajtur nxënësit dhe jo për të bashkëbiseduar. Dhe kjo nuk është as përgjegjësia e mësuesit e as përgjegjësia e nxënësit. Nxënësi ka ardhur në shkollë. Nuk ka nxënës të këqij, nuk ka fëmijë të paaftë. Po t’i vësh re në oborr, të gjithë të mençur njësoj janë, të gjithë të shkathët njësoj. Atëherë, ka një sërë elementësh; është programi, është kurrikula, është teksti, janë kushtet dhe rrethanat në të cilat mësohet. Disa që janë me nivele dhe që kanë vullnetin e duhur, e përballojnë, dhe disa të tjerë, që në bazë të problematikës nga vijnë, nuk kalojnë dot në një tjetër gjendje.

Tre vjet më parë, ka filluar në shkolla të punësohen edhe psikologë. Me sa di, edhe shkolla juaj e ka një të tillë. A mund të më thoni se cila është problematika që ka hasur?

Është e vërtetë. Sipas vendimit KM, ne kemi pasur dy psikologë, një për tetëvjeçaren dhe një tjetër për të mesmen. Ishte një projekt i cili kërkon afate për të pasur rezultatet e duhura. Arritëm në një përfundim, sipas të cilit psikologja duhet të ishte vetëm për shkollën e mesme. Megjithatë, kuptohet që nuk është e mjaftueshme. Por do të theksoja që është e domosdoshme. Në fillim, kjo psikologe bëri detyrën ashtu sikurse ishte e specializuar për të dhe pa ndërhyrjen tonë. Por, në një moment, e kuptova se ajo e kishte të vështirë për ta arritur objektivin në një shkollë kaq të madhe. Orari i psikologes është orari i mësimit. Normalisht, nuk mund të ruash privatësinë, kur psikologu e heq nxënësin nga mësimi dhe e marrin vesh të gjithë se ai ka një problem me psikologen. Kështu që ne e vumë re se nuk ecën në këtë mënyrë, kishte mjaft probleme. Atëherë unë mendova që në fillim të evidentonim problemet. Në të vërtetë problemi evidentohet vetë në një mjedis të tillë, dhe atëherë të planifikojmë tema të caktuara që psikologja t’i trajtonte me vite, me klasa, në bazë të një projekti të mirëfilltë që të fillonte me vitet e para dhe kishte të bënte me dhunën që të rinjtë ushtrojnë ndaj njëri-tjetrit. Pas një bisede që bëra me psikologen, kuptova se nuk qenka vetëm shqiptar ky fenomeni që të rinjtë mes tyre janë shumë të dhunshëm dhe këtë dhunë ia shkaktojnë njëri-tjetrit, e vuajnë dhe përfundimi ishte se ata vuanin më shumë nga dhuna e tyre sesa nga dhuna psikologjike e mësuesve ndaj nxënësve për të cilën bëhet fjalë tani. Ata ishin më të dhunuar nga njëri-tjetri. Kështu, ne, në fillim, vumë në dukje rastet dhe më pas, sipas një planifikimi, mësuesja merr takim në grupe me studentët, e hedh idenë duke shtruar probleme të vëna re dhe kërkon mendimet e tyre. Duke mbajtur shënime, duke evidentuar problemet e tyre, del edhe individi dhe kështu ne arrijmë të kryejmë edhe takime individuale, të takohemi me prindërit dhe me ata që na duhen për të realizuar diçka. Qëllimi dhe synimi im në këtë rast është që të mos fshihet problemi. Unë jam kundër fshehjes së problemit. Unë jam për t’i evidentuar problemet. Më vjen keq që duhet ta them në media, se shumë nga gazetarët kënaqen shumë kur kapin një eveniment negativ, një rekord të zi. Unë do ta shikoja më dhimbje këtë. E thashë, nuk dua ta fsheh, e kërkoj ku është e ku nuk është problemi. Por problemi duhet parë si një dukuri që nuk më kënaq. Çfarë kënaqësie duhet të kem unë kur kap një dukuri negative? Shkolla është bastioni që duhet ruajtur, duhet falënderuar për mendimin tim. Janë bërë luftëra… na vjen keq ta themi, po fakti është ne kemi përjetuar ’90, ’97, dhe vetëm shkollat nuk janë mbyllur. Mësuesit kanë shkuar nëpër plumba dhe në çfarëdo lloj rrethane, kanë hapur derën dhe kanë mbajtur shkollën. Mësuesit janë ata që e kanë mbajtur shkollën dhe ata meritojnë qoftë edhe një vlerësim kombëtar. Këta njerëz përbëjnë një vlerë. Pa asnjë lloj shpërblimi kanë mbajtur fëmijët në shkollë. Kështu që edhe sikur të mos bëjë asgjë shkolla, edhe sikur të mos bëjë asgjë nga këto, me gjithë shqetësimet që përmenda më lart, nuk kemi pse ta fshehim; të paktën gjashtë orë të heq nga problemet, të heq nga rruga, të heq nga shqetësimet familjare që kanë njerëzit, nga streset dhe nga kushedi se çfarë hallesh që ka. Ajo të mban në një mjedis të pastër që mundohet vetë ta mbajë në këtë mënyrë, në këtë stad.

Ndonjë problem konkret që keni hasur?

Janë më shumë të tipit të dhunës. Jemi akoma në fazën “pse më pe”. Nga kjo kanë ndodhur raste tragjike në rrugë. Kjo është evidentuar edhe në shkollë. Pra, ka pasur konflikte të llojit “Unë po flisja në telefon, ti kalove dhe me pengove…”, “Se si më shikon X”, “U përplasëm në korridor”. Tani, kur erdhët ju, i patë korridoret sa ishin. Imagjinoni në një kohë pushimi 1700 veta, përplasesh me dhjetëra prej tyre. Mendoni më pas që shkak konflikti është një “Pse më pe?”. Unë, që në fillim e thashë që përbërja, kontingjenti, inferioriteti dhe superioriteti që ushqehen nga mosha, nga karakteri i adoleshencës dhe mjaft trysni të tjera që janë të mbartura, shoqëria shqiptare po i vuan. Për mua, psikologu dhe vetë shoqëria duhet të bëjnë një punë, duhet të ndërtojnë një lloj, edhe media, që të mos kërkojë vetëm nga pala pritëse tolerancën, por të kërkojë edhe nga pala ardhëse, të ketë durimin për t’u përshtatur.

Sa ka qenë interesi i prindërve për të bashkëpunuar me ju?

Ne bëjmë një takim të rregullt një herë në muaj me prindërit, të enjten e parë ose të dytë të muajit, brenda datës 10 është bërë një takim. Këtu vijnë prindërit pothuajse të gjithë. Ata që janë problematikë, i sjellin prindërit. U kam thënë edhe kolegëve që të tregohen të kujdesshëm në marrëdhënie me ta duke mos kursyer edhe ndonjë falënderim. Thuajuni që janë shumë të mirë fëmijët tuaj, sepse kushdo që të ishte, nuk do të donte që të merrte vesh që ka këto të meta. Kështu që kjo është shumë e mirë për mua. Prindi vjen interesohet. Por mua më bie në sy diçka. Në kohën që keni qenë ju në shkollë, nuk e di, por në shkollën që kam qenë unë në shkollë dhe shumë vonë kur kam qenë edhe mësuese, prindi ishte partner me mësuesin. Tani e mbrapa prindi është partner me fëmijën. Kështu që ne e kemi humbur partneritetin me prindin dhe kjo ne na kushton shumë. Sepse një mashtrim apo një parapërgatitje a një gjë tjetër e fëmijës, është e mbështetur nga prindi dhe ne jemi të detyruar ta justifikojmë. Përderisa prindi e do ashtu, ne nuk kemi se çfarë të kërkojmë tek fëmija e tij. Është ai që vendos se çfarë do nga fëmija i tij. Kjo ka bërë që ne të ndërtojmë disa gjëra shumë ndryshe nga përvoja që kemi pasur.

Sa i përket Maturës Shtetërore, në ç’fazë jeni tani?

Ju keni ardhur në momentin që ne duhet të dorëzojmë formularët A1, të dorëzojmë pasqyrat dhe këto i kemi krejtësisht gati. Nxënësit kanë qenë të interesuar t’i bëjnë dhe kanë qenë gjithnjë nën kujdestarinë e mësuesve kujdestarë për të plotësuar çdo gjë nga Matura Shtetërore. Kanë një grup që quhet Komisioni i Maturës Shtetërore, i cili është gjithnjë i gatshëm të japë konsulta.

Duke qenë se ju vetë jeni mësuese, a mendoni se ky sistem është më i drejtë se sa ai i mëparshmi?

Është më i paanshëm. Të jesh i paanshëm nuk mund të jetë i barasvlershëm, më i drejtë, sepse në një vlerësim të paanshëm nuk ka subjektivizëm, por megjithatë, mungon ajo ana humane. Ti hyn në provim, jep atë që mendon se ke dhënë, prit pastaj se çfarë vlerësimi do të vijë. Për mua, Matura Shtetërore është një pozivitet, është një arritje, sepse shmang monopolin. Nëse gjithçka mbetet brenda mësuesit, atëherë gjithçka është e monopolizuar, sepse i bie që mësuesi shpjegon, mëson, të vë notën, të merr në provim dhe nëse i ke marrëdhëniet e mira me mësuesin merr provimin, në të kundërt jo, nëse do e banalizoja. Kjo shmang shumë gjëra, është nivel. Në fund të fundit, këtë bën bota dhe ne që pretendojmë të jemi si bota duhet ta pranojmë këtë fakt. Sigurisht, që nuk ka përsosmëri. Defekti i parë është fakti që nxënësve u ndryshojnë rregullat e lojës në fund të lojës. Të jetë në mes do të ishte më e pranueshme. Ai që hyn në vitin e parë të shkollës së mesme duhet ta dijë edhe se si mbyllet ky cikël, të dijë se çfarë duhet të bëjë. Ne e profilizojmë shkollën duke marrë për bazë interesat. Unë kam këto interesa… Po kur unë nuk e di se çfarë interesash kam në fund? Kur unë jam përpara një të papriture? Pasiguria është gjëja më e pasuksesshme, nuk të garanton sukses, kur je i pasigurt. Kështu që këta elementë janë gabimi i Maturës Shtetërore, ose e thënë më mirë, risku. Ka edhe diçka tjetër. Reformat në arsim janë krejt ndryshe nga reformat në të gjithë shoqërinë. Sepse ne një herë e bëjmë shkollën e mesme. Gabimet që bëjnë të rriturit, bien mbi nxënësit, mbi fëmijët. Ata nuk i kthen më shkollës së mesme. Por duhet pasur parasysh një gjë; që shkolla e mesme është baza për të marrë një drejtim në jetë. Një njeri gjithmonë dëshiron të jetë i mirë. Gjithsecili në atë moshë ka ëndrra, ka projekte dhe faktikisht me këto mënyra ai i shumë të diskutueshme arritjet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: