SPECIALE EKONOMIKE/ BUJQËSIA DHE RËNDËSIA E SAJ PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK TË VENDIT

· FLASH
Autorë

BujqesiNga ALBANEWS

Gjana: Bashkimi në kooperativa ndryshe nga ato komuniste një anë e mirë

Bujqësia shqiptare përbën një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, megjithë rritjen e shpejtë të sektorëve të tjerë të ekonomisë shqiptare, bujqësia vijon të zërë vendin e parë midis degëve, me një kontribut rreth 23-25 % të PBB-së të vendit. “Transformimi i ekonomisë shqiptare në ekonomi tregu, nuk mund të jetë i plotë pa pasur si pjesë të saj dhe sektorin e bujqësisë”, shprehen specialistët. Në këtë kontekst, MBUMK ka në programin e saj si objektiv kryesor shndërrimin e bujqësisë në një sektor që t’i përkasë ekonomisë së tregut, duke krijuar kushte e mundësi që fermeri shqiptar të bëhet pjesë e tregut. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, është shprehur dje se asnjë politikë e strukturave që synon organizimin dhe nxit organizime të ndryshme virtuale nuk mund të jetë efektive, nuk mund të jetë eficente nëse nuk merr në konsideratë këtë nevojë thelbësore të integrimit të prodhimit bujqësor në treg. Dy vitet e fundit, tha ministri Gjana, qeveria ka marrë masa të rëndësishme që prodhimi bujqësor dhe blegtoral të mund të realizohet në tregun e brendshëm. Edhe pse jemi një vend tërësisht bujqësor, përsëri jemi një vend deficitar në prodhime bujqësore dhe blegtorale, pasi jemi importues neto. Sasia e importeve bujqësore është 9 herë më e madhe nga sasia e eksporteve bujqësore. Ministri Gjana theksoi se prodhimi bujqësor dhe bujqësia në tërësi, vazhdojnë të mbeten sektorët që kanë një shkallë izolimi të lartë nga tregu. Vetëm rreth gjysma e prodhimit bujqësor është e tregtueshme. Ndërsa më shumë se gjysma vetëkonsumohet nga familjet fermere. Shkalla e përpunimit të prodhimit bujqësor mbetet e ulët dhe tregjet bujqësore janë të izoluara dhe të segmentarizuara, nuk kanë një karakter kombëtar, për të pretenduar pastaj dhe për një lidhje apo për një tregti më të gjerë se sa tregtia e brendshme, në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Për të gjitha këto, u shpreh ministri Gjana, synojmë të ndërmarrim një politikë që mbështet rritjen e tregtueshmërisë së prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe që zhvillon këtë sektor. Sipas Gjanës, rritja e shkallës së tregtueshmërisë së prodhimeve bujqësore do të ishte instrumenti për ta nxjerrë nga vetëizolimi dhe kushtet e vetëmjaftueshmërisë ushqimore, në të cilat janë vendosur familjet fermere dhe fermat bujqësore të vogla që ne kemi aktualisht. Sot, duke iu referuar shifrave zyrtare, rezulton se në dy vitet e fundit shkalla e tregtimit të prodhimeve bujqësore është rritur ndjeshëm. Vëllimi i importeve të produkteve bujqësore dhe blegtorale është zvogëluar me rreth 15 % për këtë vit, ndërkohë që vëllimi i eksporteve bujqësore është rritur me 30 %. Ministri Gjana tha se “politikat fleksible dhe ndjekja e konjukturave të çmimeve në tregun rajonal dhe ndërkombëtar na ka bërë të jemi të ndjeshëm që të përdorim instrumente të cilët ndihmojnë realizimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore.

25% e prodhimit vendas është produkt bujqësor

Pesha e sektorit të bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë vitit 2007 shënoi shifrën  25.6 për qind.Sipas specialistëve të bujqësisë, deri në vitin 2000 kontributi i bujqësisë në PBB llogaritej së bashku me kontributin e sektorit të ushqimit, duke zënë një peshë më të madhe në ekonominë vendase. Pas këtij viti, pesha e sektorit të bujqësisë dhe ushqimit në PBB u llogarit e ndarë nga njëra tjetra. 

 

       Viti   I      Bujqësia

   ____________I______________________

 

        1996   I        33.0 %

        1997   I        33.6 %

        1998   I        32.6 %

        1999   I        29.5 %

        2000   I        29.1 %

        2001   I        26.0 %

        2002   I        25.4 %

        2003   I        24.7 %

        2004   I        24.0 %

        2005   I        25.0 %

        2006   I        25,3%

        2007   I        25.6%

 

Efekti i rimbursimit të TVSH-së, 50-60 milionë usd përfitim për familjet fermere

Fermerët shqiptarë për herë të parë këtë vit po marrin 6 për qind rimbursim për produktet e shitura tregtarëve dhe ndërmarrjeve agropërpunuese,  kundrejt faturave tatimore dhe kodit përkatës. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) tha se ka prodhuar dhe shpërndarë kartën e fermerit, e cila i jep mundësinë çdo fermeri që të ketë numrin personal të kodit të tij, me të cilin hyn në marrëdhëniet e një shitblerjeje të formalizuar.  Sipas MBUMK, proçesi i pajisjes me kartelë po vazhdon në drejtoritë rajonale të bujqësisë dhe parashikohet të përfundojë më 30 maj të këtij viti në të gjithë vendi. Pra rimbursimi i TVSH-së do kryhet për të gjithë fermerët që blejnë me faturë tatimore dhe vlera e pagesës do të kryhet në momentin që fermeri pajiset me kartelë.  

Rimbursimi i TVSH-së pritet të rrisë interesin e tregtarëve për të blerë produkte vendi

 Bujqësia vlerësohet si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit, ndaj politikat e qeverisë synojnë të mbështesin zhvillimin e tij. Ndërhyrja e shtetit, favorizon përmes kësaj skeme fermerët, për t’u bërë pjesë e tregut  dhe u krijon mundësi për rimbursim të 6 % të TVSH-së. Rimbursimi i TVSH-së pritet të rrisë interesin e çdo tregtari për të blerë produkte vendi. Gjithashtu fermerët do të  rimbursohen me 6 % të vlerës për çdo blerje të imputeve bujqësore që përdorin si dhe për  makineritë bujqësore. Sipas MBUMK, zbatimi i kësaj skeme parashikon ulje të importit të produkteve bujqësore si dhe do të rrisë  konkurrencën, duke  ulur edhe çmimet në tregjet bujqësore. Me skemën e re, që ka fillur në janar, nuk do të munden të përfitojnë TVSH të gjithë fermerët, por ata që janë të organizuar dhe ata që shesin sasira të mëdha malli, duke përdorur faturat.

Efekti i rimbursimit të TVSH-së, 50-60 milionë USD përfitim për familjet fermere

Specialistë të financës shprehen se zbatimi i  rimbursimit të TVSH-së për të gjithë shitblerjet e bëra në tregun e brendshëm të prodhimit bujqësor, pritet të ketë një efekt prej 50 – 60 milionë dollarë, shifër kjo që do të shkojë përfitim në familjet fermere. Sipas tyre, këto politika janë provuar si efiçente. Duke iu referuar statistikave në dy vitet e fundit ka një rritje të nivelit të tregtimit të prodhimit bujqësor vendase dhe një përmirësim të dukshëm të bilancit të eksporteve dhe importeve nga sektori bujqësor, duke kaluar nga raporti 1 me 9 në raportin 3 me 7, çka tregon se janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara për të rritur shkallën e tregtimit të prodhimit bujqësor dhe për të rritur peshën e prodhimit bujqësor shqiptar në tregun e brendshëm. Ndërkohë Ministritë e Financave dhe Bujqësisë, po programojnë zhvillimin e një infrastrukture të ndërmjetësit dhe përpunuesit, në mënyrë që prodhimet bujqësore që realizohen në tregun shqiptar të mos jenë vetëm sezonale. Në këtë kuadër parashikojnë të fillojnë investime për ruajtjen në dhoma ftohje dhe frigoriferike të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që tregu të mund të furnizohet në mënyrë ritmike gjatë gjithë vitit dhe që çmimet të mos kenë atë luhatjen e madhe midis sezoneve të prodhimit dhe sezoneve joprodhuese, dhe që gjithë rrjeti tregtar të mos jetë i ndarë në dy faza 6 muaj tregtar importi dhe 6 muaj tregtar i tregut të brendshëm. Zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve kontraktuale do ta ndihmojë për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme edhe sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Gjana: Do të krijohen kooperativat e para private, ndryshe nga ato të sistemit komunist

Bujqësia duhet të dalë nga spontaniteti dhe të organizohet për t’u bërë pjesë e tregut, me qëllim që të rritet prodhimi vendas dhe të ulen importet. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, shprehet se “zona e Kavajës, Lushnjes, Fierit etj, njihen si qëndrat kryesore të prodhimit bujqësor në vendin tonë, ndaj fermerët nuk duhet të dalin e shesin në rrugë prodhimet e tyre, por po të organizohen në shoqata apo kooperativa”. Në këtë mënyrë ata do ta gjejnë më lehtë tregun, pasi tregtarët e mëdhenj do të dinë ku të shkojnë të blejnë prodhim të bollshëm. “Eshtë prioritet i yni krijimi i marketingut dhe Kavaja e Lezha janë në objektivat e MBUMK për ngritjen e tregjeve të reja agrobujqësore”, tha Gjana. Për këtë, ministri Gjana ftoi biznesin privat që të përfshihet në ndërtimin e tregjeve.

Kooperativa, ndryshe nga ato të sistemit komunist

Ndryshe nga kooperativat e para bujqësore shtetërore në sistemin komunist, në  rrethin e Lushnjës, në Shqipërinë e Mesme, zonë e cilësuar dikur si “hambari i Shqipërisë”, kanë filluar të krijohen  kooperativat e para private. Kooperativat shtetërore në Shqipëri, u shpërndanë mbas vitit 1990 dhe toka e tyre iu nda fermerëve. Janë mbi 320 mijë familje fermere që janë bërë pronarë të tokave të ish- kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore, por copëzimi në ngastra të vogla ka ulur rendimentin e tyre. Edhe tokat e gjera në Lushnjë,  kanë pësuar të njëjtin copëzim, duke u ndarë në mijëra ngastra të vogla, sa është e pamundur të futen në përdorim mjetet e mekanizuara. Por fermerët kanë filluar të orientohen tashmë, duke krijuar ferma private sipas stilit perëndimor. Ka hyrë në fazën e prodhimit intensiv kooperativa  bujqësore private me sipërfaqe 1000 hektarë në Divjakë,  e cila u krijua  me iniciativën e 52 familjeve fermere të kësaj zone, që  bashkuan tokat e tyre mbi bazën e interesave personale.Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, është shprehur se “këto  kooperativa janë modeli i duhur i fermës bujqësore shqiptare”. Kooperativa e re prodhon  kryesisht perime dhe patatet e hershme realizohen gjatë gjithë vitit, duke mos prodhuar më drithra si dikur. Kjo kooperativë merret dhe me shitjen direkt në tregje të prodhimeve bujqësore, një pjesë e të cilave shkojnë edhe për eksport. Të ardhurat nga fitimi  ndahen sipas kontributit të secilit, ku agronomë, ekonomistë dhe financierë të punësuar, planifikojnë edhe fondet për investime të reja, me qëllim shtimin e prodhimit.

Të mirat e një bashkimi

Tregu shqiptar vazhdon të vuajë nga sezonaliteti i prodhimit për faktin se fermeri vendas nuk është i aftë ta furnizojë atë përgjatë gjithë vitit. Kjo pikërisht për nivelin e lartë të copëzimit të tokave, e cila pengon rreth 80% të fermerëve të dalin në treg. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 320 mijë ferma në regjistrin kombëtar të fermerëve. Nxitja e ministrisë së Bujqësisë dhe projekteve ndërkombëtare për krijimin e kooperativave synon që fermerët të arrijnë të tregtojnë vetë, të mund të gjejnë vetë tregjet, të bëjnë kontrata pa patur nevojën e ndërmjetësve ose grosistëve që përfitojnë shumë në kurriz të tyre. Projekti pilot i Divjakës, për financimin e të cilit ka shprehur interes qeveria holandeze, pritet të shërbejë si nxitje për shumë fermerë të tjerë në vend. Sipas specialistëve të ministrisë së Bujqësisë, përmes krijimit të një skeme sistematike prodhimi dhe përshtatjes së kulturave me zonat ku produktiviteti i tyre është më i lartë, kooperativat mund të sigurojnë prodhimin e perimeve për gjithë vitin. Grupimi i tyre për të kultivuar pak kultura bujqësore (mundësisht ato që i përshtaten më shumë klimës së zonës), krijon disa lehtësira sipas specialistëve të bujqësisë, duke filluar që nga shfrytëzimi i makinerive për të gjithë, organizimi për gjetjen e tregut dhe investimet për një marketing më të mirë.

USAID, gati 10 milion dollarë

Programi për Zhvillim Ndërkombëtar i Qeverisë Amerikane, USAID, që asiston prej kohësh në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare, ka prezantuar kohët e fundit një projekt prej 10 milion dollarësh në fushën e bujqësisë. Projekti, i cili koordinohet mes asistencës teknike dhe investimeve, ka si qëllim bashkimin e fermerëve të vegjël përmes rritjes së besimit të ndërsjelltë mes tyre. Projekti i USAID-it pritet të fillojë të aplikohet që këtë vit, dhe të vazhdojë asistencën tekniko-financiare për një periudhë 5 vjeçare.

Subvencionet në vreshta, pemtore dhe ullishte

Gjatë vitit të kaluar janë mbjellë 1034 ha tokë me vreshta, pemtore dhe ullinj, të financuar nga qeveria shqiptare. Këto fusha prodhimi janë nxitur pikërisht për produktivitetin e lartë të kultivimit të tyre. Kështu, nga shuma prej 4,5 milion dollarë, kanë fituar mbi 1700 fermerë, disa prej të cilëve janë emigrantë te kthyer në atdhe. Kështu, ndihma e qeverisë është shfrytëzuar edhe nga emigrantët që kanë punuar në bujqësi në vendet e huaja dhe kanë vendosur të investojnë në këtë fushë kursimet e tyre. Në 5 vitet e fundit edhe vetë fermerët janë orientuar drejt vreshtarisë dhe serave. Një shembull pozitiv është bashkimi i 50 fermerëve në Zejmen të Lezhës, të cilët kultivojnë kultura të ndryshme në 80 ha tokë. Toka e mbjellë me vreshta zë gjysmën e kësaj hapësire prej  40 hektarë dhe prej dy vjetësh ka mundësuar prodhimin dhe furnizimin e tregut me verën e markës Kallmet. Fermerët, duke parë rritjen e të ardhurave në disa prej kooperativave private, kanë filluar  të kthejnë sytë nga mbështetjet e programeve ndërkombëtare, të cilat ndihmojnë kryesisht me asistencë teknike. Kështu, Kooperacioni spanjoll për zhvillim po punon me fermerët e Krutjes, SNV-ja holandeze me Lushnjën, ndërkohë që këtë vit pritet të fillojë dhe programi i USAID.

Gjendja e bujqësisë në vend

Pas një kooperativizimi të tejskajshëm për afro 50 vjet me radhë, toka dhe ferma shqiptare e pas viteve ’90 u fragmentizua, duke kaluar kështu nga një ekstrem në tjetrin. Në vendin tonë ka rreth 400 mijë hektarë tokë bujqësore dhe ferma mesatare është e përmasave 1.2 hektarë. Edhe kjo sipërfaqe është e parcelizuar në 3 – 4 pjesë, sepse një fermer nuk e ka tokën e tij në të njëjtën zonë. Një copëzim i niveleve të tilla ka ulur nivelin e prodhimit, megjithatë bujqësia shqiptare jep më shumë se një të pestën e Prodhimit të Përgjithshëm në Vend (GDP) dhe ka mbi 750 mijë të punësuar. Në krahasim me fusha të tjera të ekonomisë, në bujqësi edhe investimet publike janë më të pakta. Të gjitha këto arësye së bashku bëjnë që të mbetet raporti eksport/import negativ, që paraqitet në nivelin 1 me 7. Vetëm importet e frutave dhe perimeve arrijnë në vlerët e 500 milion dollarëve në vit.

Fier, rrreth 1 milionë dollarë për fermerët e qarkut të Fierit

Fermerët e qarkut të Fierit do të përfitojnë për këtë vit 1 milion dollarë (gjithsej) në kuadër të projektit “2KR” , që synon rritjen e sipërfaqeve të mbjella me frutikulturë dhe matrikullimin dhe stimulimin e fermave të gjedhit. Drejtori Rajonal i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier, Fatos Troka, tha se “krahasuar me vitin e kaluar subvencionimi i qeverisë është dyfishuar”. Sipas tij vitin e kaluar qeveria e shtriu skemën e subvencionimeve vetëm në frutikulturë, ullishte e vreshtari, ndërsa këtë vit ajo është shtuar me një gamë më të gjerë kulturash. “Shtimi i prodhimit vendas si dhe fuqizimi i tregut janë dy nga rrugët kryesore të zhvillimit social-ekonomik, jo vetëm në zonat rurale, por me ndikim në krejt zhvillimin e shoqërisë”, u shpreh Troka i cili theksoi se “gjatë këtij viti kanë aplikuar për të përfituar subvencionim nga shteti rreth 270 fermere, por ende nuk është kryer përzgjedhja e tyre. Këtë vit, vijoi ai, për herë të parë do të përfundojë matrikullimi i gjithë krerëve të gjedhit në qark. “Do të stimulohen fermat e gjedhit me mbi 10 krerë dhe po shihet mundësia e subvencionimit dhe në kulturat e drithërave bujqësore”, tha drejtori Troka. Sipas tij, duke parë peshën që zë qarku i Fierit në prodhimin e përgjithshëm vendas në sektorin bujqësoro-blektoral qveria e dyfishoi shumën financiare në ndihmë të femerëve. Vittin e kaluar qeveria akordoi një shumë prej 500.000 dollarë, ku përfituan 176 fermerë duke rritur sipërfaqet e mbjella me këto kultura me 126 ha.

Gjirokastër, 65 fermerë përfitojnë fonde nga qeveria

Të paktën 65 fermerë nga qarku i Gjirokastrës kanë përfituar fonde nga qeveria shqiptare në kuadër të projektit “2KR”. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për qarkun e Gjirokastrës, Bekim Sinani, gjatë një prononcimi tha se “gjatë këtij viti kanë aplikuar 65 fermerë në rang qarku, ku të gjithë kanë përfituar fonde”.  Sipas tij, 34 fermerë përfitues janë nga rrethi i Tepelenës, 17 nga rrethi i Përmetit dhe 14 të tjerë nga Gjirokastra. “Vitin e kaluar fondi i akorduar nga qeveria ishte 30 milion lekë, ndërsa këtë vit ai është shtuar me 15 milion lekë”, theksoi Sinani, sipas të cilit, 28 milion lekë do të përdoren për pemëtarinë, vreshta dhe ullishte, ndërsa të tjerat për prodhimin e qumështit dhe shtegëtimin e blegtorisë. Ai shtoi se çdo fermer ka përfituar rreth 3 milionë lekë të vjetra, e mjaftueshme për 4-5 dynym. Sinani vuri në dukje se vitet e fundit disa ndërmarrje kanë ndërtuar biznesin e tyre fitimprurës dhe lëndën e parë bujqësore e sigurojnë në vend.  “Fabrika e përpunimit të djathit “Gjirofarma”, e ngritur rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe 5 kilometra larg pikëkalimit kufitar të Kakavijës, prodhon produkte blegtorale të cilësisë së lartë dhe deri tani asnjë gramë nuk është eksportuar drejt vendeve të Bashkimit Europian, pasi i gjithë prodhimi shitet në tregun vendas. “Jam i bindur se nëse shteti do të vazhdojë në të ardhmen të subvencionojë këta fermerë, numri i tyre do të rritet ndjeshëm dhe shumë fermerë që kanë emigruar në Greqi do të kthehen”, vijoi ai. Gjatë vitit të kaluar, nga projekti 2 KR përfituan 105 fermerë të qarkut të Gjirokastrës.

I diplomuar në universitetin e Selanikut të Greqisë, në degën e menaxhimit, Thodhori Makri, 29 vjeç, u rikthye një vit më parë në vendlindje në fshatin Vanistë, rreth 15 km larg Gjirokastrës, ku dhe merret me kultivimin e luleshtrydheve. U rikthye në atdhe pas një emigrimi prej 17 vjetësh, ndërkohë që profesioni që kishte marrë në Greqi i dha mundësi të menaxhonte tokën, që familja e tij kishte në pronësi. Plot 10 dynym tokë, në afërsi të fshatit Vanistë, në krahun e majtë të rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, është mbështjellë me plasmas dhe gjithçka që është kultivuar atje është luleshtrydhe. Një vit më parë, në fillim të çeljes së biznesit të tij, 29 vjeçari përfitoi nga programi “2-KR” një shumë prej 600 mijë lekësh, ndërsa këtë vit tregon ai “subvencionimi i këtij fruti u përjashtua nga skema”. Gjithsesi, thotë 29 vjeçari, mbështetjen e parë ma dha qeveria shqiptare dhe këtë vit kam planifikuar që ta zgjeroj aktivitetin, duke e rritur sipërfaqen e mbjellë me 40 dynym. Prodhimin e vitit të kaluar, prej 10 ton e shiti të gjithë në tregun e qytetit të Gjirokastrës e Sarandës. “E fillova këtë sipërmarrje me një sipërfaqe prej 10 dynymësh, duke aplikuar një teknologji bashkëkohore (vaditje me pika), në kultivimin e kësaj bime”, tha Makri, djaloshi i apasionuar pas kultivimit të luleshtrydhes, i cili ka marrë dhe kredi për mbarëvajtjen e biznesit të tij. Aktualisht në këtë fermë bujqësore, vijoi ai, ushqehen 10 familje, me një rrogë që varion nga 40- 60 mijë lekë. “Ky biznes nuk do të kishte kuptim pa ndihmën e prindërve të mi, të cilët u treguan të gatshëm të vijnë në Shqipëri dhe të jetojnë përfundimisht këtu”, pohon i riu Makri, ndërsa tregon se prindërit e tij kanë mbaruar Institutin e Lartë Bujësor në Tiranë për blegtori-ekonomi dhe natyrshëm janë njohës të mirë të tregut bujqësor. “Tashmë si familje jemi të vendosur të punojmë seriozisht në sferën e bujqësisë, me objektiv realizimin e një programi total agroturistik”, theksoi Thodhori. Djali i madh i familjes Makri është optimist dhe i bindur se mund të arrijmë standarde të larta cilësore dhe sasiore në kultivimin e luleshtrydhes. Veçantia e mikroklimës së zonës sonë, shton ai, është shumë e favorshme, pasi gjatë muajve qershor-gusht këto fruta nuk prodhohen në Greqi e Itali, mundësi kjo për të eksportuar në këto vende.

Shkodër: Vera “Kallmet”, unike në llojin e saj

Vera ‘Kallmet’ që prodhohet nga rrushi me të njëjtin emër, i cili kultivohet vetëm në rajonin e Shkodrës, cilësohet si mbreti i verërave në shkallë vendi ndaj dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i ka dhënë një rëndësi të veçantë subvencionimit të fermerëve që merren me kultivimin e tij. Inxhinier Enver Ulqini, specialist në fushën e prodhimit të verës, thotë se “kompania ‘Miqësia’ në Malësinë e Madhe është investimi më i madh në këtë drejtim, i kryer në territorin kodrinor dhe ato buzë lumenjve dhe liqenit të Shkodrës deri në Bajzë, gjë që plotëson kërkesat e konsumatorit vendas, por edhe atij të huaj”. “Sot në qarkun e Shkodrës janë kultivuar 39 ha vreshta me Kallmet, nga 146 ha që ishin para 20 vitesh. Por, deri në vitin 2015 parashikohet të mbillen 300 ha vreshta me kallmet në 328 ferma”, tha ai. Në drejtim të përpunimit, vijoi inxhinier Ulqini, është i rekomandueshme përqendrimi në grupime në mënyrë që investimet të bëhen në grup, pasi janë më të përballueshme dhe për rrjedhojë kanë kosto më të ulët. Ndërkohë, vijon ai, vëmendje i duhet kushtuar përzgjedhjes së stafit të kualifikuar për grumbullim dhe përpunim cilësor, menaxhim më të mirë për nevojat e tregut dhe marketingut.

Elbasan: Një baxho moderne falë projektit të BB

Ka kaluar një vit nga koha kur Mustafa Sulkja, nga komuna Përparim, 10 km larg Peqinit aplikoi në drejtorinë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit për përftimin e një fondi në kuadër të projekteve të Bankës Botërore në mbështetje të projekteve të qeverisë shqiptare për zhvillimin e bujqësisë në vend. Ndryshe nga shumica e fermerëve ai kërkonte subvencionim për baxhon e tij në qendër të komunës të cilin e kishte hapur 16 vjet më parë. Por për mungesë të investimeve e kishte rihapur dhe rimbyllur disa herë duke mos përfituar asnjë të mirë prej saj.  “Gjithçka që është sot në baxhon time, është falë ndihmës së qeverisë shqiptare”, tregon Sulkja, ndërsa nënvizon se ishin përfaqësuesit e sektorit të këshillimit pranë drejtorisë rajonale të Bujqësisë ata të cilët e lajmëruan për projektin e granteve me konkurrim të Bankës Botërore. Fondi prej 1.65 milion lekë që përfitova, vijon ai, ishte një ndihmë e madhe pasi kam shtuar dyfish sasinë e prodhimit dhe kësisoj fitim tim. “Nëse para dy vjetësh unë grumbulloja 5 kunjtal qumësht tashmë unë grumbulloj 15 kunjtal qumësht”, tregon Mustafai. Nga projekti përfitoi një dhomë frigoriferike dhe një tankër qumështi i cili e mirëmban produktin në kushte optimale. Tani prodhon djath të bardhë, salcë kosi, dhallë. Me instalimin e kësaj teknoklogjie ai thotë se “shitja e produkteve është e garantuar”. Kërkesat janë të shumta nga pikat që tregëtojnë bulmet si në Elbasan, Shkodër, Tiranë e gjetkë. “I jam mirënjohës qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Bujqësisë Ushqimit dhe Konsumatorit, për projektet që kanë ndërmarrë në drejtim të fermerëve “, thotë ai, ndërsa tregon se së bashku me disa fermerë të zonës kanë aplikuar për këtë vit, në kuadër të projektit 2KR për ngritjen e një fermë të vogël me rreth 20 krerë lopë. Me ngritjen e kësaj baxhoje moderne në qendër të komunën Përparim, banorët e zonës që merren me blegtori nuk lodhen për të gjetur konsumatorin për tregtimin e qumështit por e depozitojnë atë në këtë baxho ku dhe marrin lekët në dorë. “Në një të ardhme të afërt do të investojë sërisht në këtë baxho”, përfundon Mustafa Sulkja.

Qeveria jep 64 milion lekë për fermerët e qarkut

Rreth 64 milionë lekë janë akorduar nga qeveria shqiptare për fermerët e qarkut të Elbasanit, që kanë aplikuar në projektin 2 KR, një projekt që zbatohet për të dytin vit me radhë në shkallë vendi. Përgjegjësi i shërbimit këshillimor në Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Neshat Sadiku, tha se fondi i dhënë nga qeveria shqiptare për këtë vit është pothuajse dyfish më i madh se një vit më parë, gjë që tregon interesimin e fermerëve për t’u bërë pjesë e këtij projekti fitimprurës”. Sipas tij, në vitin 2007 fondi i dhënë nga qeveria shqiptare ishte 42 milionë lekë dhe në total përfituan 173 fermerë. Komisioni i vlerësimit ka përzgjedhur 163 aplikime, në një sipërfaqe prej 139, 57 hektarë, ndërkohë që vazhdon akt verifikimi nga specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë dhe përfaqësuesit e projektit 2 KR. Sipas Sadikut, në kuadër të projektit ‘2 KR’ ka përfunduar dhe dokumentacioni për ujitjen me pika në pemëtoret intensive me mbi 800 rrënjë. Strategjia e zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë në qarkun e Elbasanit është mbështetur këtë vit edhe nga Banka Botërore, e cila ka akorduar një fond prej 22 milionë lekë për kanalet vaditëse të komunës Klos dhe shtatë fshatrave të saj. Kryetari i komunës Klos, Behar Hoxha, u shpreh se “projekti është një vjeçar dhe investimi i BB-së parashikon  vaditjen e 342 hektarë tokë”. Nëse ky projekt realizohet me sukses, vijoi Hoxha, Banka Botërore parashikon të investojë edhe pesë projekte të tjera në komunën Klos. Sipas projektit më të fundit të MBUMK për çdo shitje të produkteve bujqësore dhe blegtorale fermerët do të marrin një pagesë shtesë prej 6 për qind të totalit të vlerës së shitur. Shteti do të rimbursojë koston e tatimit të tyre mbi vlerën e shtuar të lidhur me kostot e prodhimit. “Por, për të përfituar këtë rimbursim fermeri duhet që të pajiset me kartën e fermerit, si dhe nga blerësi duhet të marrë një faturë të shitjes së mallit e një kopje shitjeje”, theksoi Sadiku. Prioritet i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë është dhe ndjekja e mbjelljes së perimeve në serat me ngrohje dhe pa ngrohje, ku në qarkun e Elbasanit numërohen rreth 60 të tilla. Këtë vit, vijoi Sadiku, vihet re se ka një shtim të prodhimit vendas në treg, në veçanti prodhimi i kastravecit dhe i domates, duke bërë të mundur që këto perime të mos importohen. “Nga qeveria shqiptare është planifikuar subvencionimi për të gjithë ata fermerë, të cilët kanë ndryshuar aparaturën e ngrohjes së serave nga kaldaja në solar. Bëhet fjalë për serat mbi 3 dynym, ku fermerëve po i jepen 1.5 milion lekë për hektar”, tha Sadiku.

Vlorë, verë: “Nelson” nga rrushi “Black Magic”

Prej 15 vjetësh 58 vjeçari Nelson Xhaferri, nga fshati Oshëtimë, 10 km larg Vlorës, ushtron aktivitetin në vreshtari, duke shtuar nga viti në vit prodhimin dhe kësisoj dhe mirëqënien në familjen e tij. Çdo sezon përfiton mesatarisht 200 deri 220 kv rrush, një pjesë të të cilit e nxjerr në treg. Prej 3 vjetësh ka ndërtuar edhe një kantinë për përpunimin e rrushit, nga e cila prodhon verën “Nelson”, të cilën e ka etiketuar me emrin e tij. Një nga fermerët më të njohur të zonës, 58 vjeçari Xhaferri përfitoi vitin e kaluar nga grantet e qeverisë, në kuadër të projektit ‘2KR’, që synon nxitjen e zhvillimit të bujqësisë. “Përmes grantit të qeverisë e shtova sipërfaqen e mbjellë me vreshta me 5.4 dynymë të tjerë, duke e çuar atë gjithsej në 1.2 hektarë”, tregon fermeri 58 vjeçar. Në vreshtin e tij më të ri, të ngritur me grantin e qeverisë, ka kultivuar rrush të llojit “Black magic”, që është një varietet mjaft cilësorë në prodhimin e verës. Këtë sezon pret të marrë dhe prodhimin e parë të këtij vreshti, ndërsa shprehet i bindur se ai do të jetë i mbarë. Fermeri nga fshati Oshëtimë, ku tradita e rrushit dhe e prodhimit të verës është mjaft e hershme, thotë se kjo formë e mbështetjes së bujqësisë është mjaft efektive. “Kështu, ne përfitojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën që kemi realizuar në praktikë”, thotë ai. Xhaferri tregon se tashmë nuk sorrollatet më si më parë, kur për të siguruar një sasi karburanti, i duhej të shkonte sa në një zyrë në tjetrën dhe përfundimisht nuk përfitonte, ndërkohë që ishin të tjerë ata që siguronin të ardhura nga kjo, madje edhe duke mos qenë fermerë. Për Xhaferrin, puna mbetet kryesore në suksesin e biznesit. Ai thotë se i qëndron “në kokë” vreshtave që ka krijuar me mund, të cilat i konsideron si fëmijë. Dje pasdite iu desh të kryente edhe një tjetër spërkatje, për shkak se shiu që ra para disa ditësh, “e lau”, atë (spërkatjen) e realizuar më parë. “Tani është një periudhë mjaft delikate për rrushin, për shkak se është momenti që ai mund të rrezikohet nga sëmundjet, sikundër është filoksera”, shpjegon fermeri. Prandaj dhe kujdesi tani është maksimal, aq sa kontrolli duhet bërë i përditshëm. Pastaj vjen faza kur nisin të formohen e të piqen bistakët, që kërkojnë një kujdes tjetër, Por, nuk janë vetëm këto. Krahas me prodhimin, duhet menduar edhe për tregun. Kjo është një fazë e vështirë, që kërkon një lloj tjetër angazhimi. Fermeri Xhaferri ka edhe ndihmën e djalit të tij në këtë drejtim. Bashkë me të, ai duhet të lëvizë e të mendojë për gjetjen e tregut, qoftë të rrushit, qoftë edhe të verës. Djali i tij është student në Universitetin e Vlorës, por kjo nuk e pengon të gjendet pranë të atit sa herë duhet. Mëngjesin e një dite më parë u nisën me autoveturën e tyre në drejtim të Beratit për të marrë pjesë në një panair të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Në këtë aktivitet, që organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për tre qarqe të jugut të vendit, ai u përfaqësua me verën e tij ‘Nelson’. Shpreson që ky aktivitet t’i shërbejë biznesit të tij. Nga ana tjetër, ai shpreson gjithashtu se edhe këtë vit do të jetë përfitues nga subvencionet e qeverisë. Ai ka paraqitur një projekt për zgjerimin e aktivitetit të përpunimit të rrushit dhe është në pritje të vlerësimit nga komisioni përkatës.

Për 2008, 586 remerë aplikantë për të përfituar nga projektet “2KR”

Të paktën 586 fermerë nga rrethi i Vlorës kanë aplikuar këtë vit për të përfituar subvencione nga granti i qeverisë, i cili arrin në 90 milionë lekë. Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të rrethit, Eduard Dervishaj, tha se “236 aplikantë janë fermerë që ushtrojnë aktivitetin në fushën e bujqësisë dhe pjesa tjetër në atë të blegtorisë”. Aktualisht ka përfunduar faza e aplikimit, ndërkohë që kanë nisur procedurat e shqyrtimit të projekteve të paraqitura nga fermerët. “Ky fond është në formë granti dhe prej tij do të përfitojnë fermerët, që kanë aplikuar përmes projekteve në fushat përkatëse, ku ata operojnë”, theksoi Dervishaj, duke nënvizuar se një pjesë e këtij fondi, rreth 48 milionë lekë, është parashikuar për të stimuluar shtimin e sipërfaqeve të reja me pemë frutore, ullinj e vreshta. Në fondin e mësipërm përfshihet edhe subvencionimi i prodhimit të vajit të ullirit i llojit “Exstravergine”, i cilësisë mjaft të lartë, i standardeve të BE-së, përshtatja e teknologjisë në serat me ngrohje teknike, duke i kaluar nga ngrohja me naftë në atë me solar, zhvillimi i blegtorisë në zonat respektive, stimulimi i prodhimit të varieteteve të traditës në vreshta, siç është ai i llojit “Vlosh”, etj. Vlora është përfshirë mes rretheve pilot për luftën kundër mizës së ullirit, duke aplikuar një plan të avancuar masash në një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 500 hektarësh. Fazës së aplikimit i parapriu një periudhë sensibilizimi dhe informimi për zbatimin e projektit, duke e shtrirë atë në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, në bashki, komuna e fshatra. Për përzgjedhjen e projekteve fituese është ngritur edhe një komision, me struktura funksionuese deri në nivel fshatrash. Ky është viti i dytë që financohen projekte të fermerëve, përmes granteve të qeverisë. Por, në krahasim me vitin e kaluar vlera financiare e grantit është dyfishuar, ndërkohë që janë ridimensionuar edhe politikat e stimulimit të bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë e agrobiznesit. Për vitin 2007 ky fond ishte 45 milionë lekë dhe u përqendrua në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me pemëtari, ullinj e vreshta. Prej tij përfituan 156 fermerë në të gjithë qarkun, pjesa më e madhe e të cilëve në rrethin e Vlorës. Në procedurat e parashikuara për realizimin e programit, fermerët i përfitojnë vlerat financiare, pasi kanë konkretizuar projektet për të cilat aplikojnë.

Kukës, investimet e “2KR” rikthejnë interesin për tokëm

Fillimi i viteve ’90 konsiderohet nga banorët e verilindjes si një ëndërr e keqe. Ata kujtojnë se në atë kohë toka bujqësore u braktis, ndërsa u shkatërruan hektarë të tërë me pemë frutore. “Është një ëndërr që ka mbaruar, pasi dalëngadalë po i rikthehemi punimit të tokës”, thotë 67 vjeçari Shuaip Mulaj nga fshati Dobrunë i rrethit të Hasit. I kënaqur se këtë vit ka përfituar një kredi nga projekti ‘2KR”, përmes së cilës ka ngritur një pemëtore në një sipërfaqe prej 8 dynymësh, fermeri Mulaj thotë se  “është një ndihmë e madhe që po tërheq edhe rininë për t’iu rikthyer punimit të tokës”. Nga projekti “2KR” vitin e kaluar përfituan 111 fermerë të qarkut të Kukësit, ndërsa këtë vit 90 fermerë, thotë drejtori i drejtorisë rajonale të bujqësisë, Shefqet Elezi.

Vetëm gjatë këtij viti nga rrethi i Hasit kanë përfituar projekte për shtimin e sipërfaqes me pemëtari e vreshtari 35 fermerë. “”Interesi nuk mungon, as projektet, vetëm se ato zbatohen në më të shumtën e rasteve nga mosha e tretë, pasi të rinjtë janë në emigracion”, thotë drejtori i zyrës së bujqësisë të rrethit të Hasit, Rifat Mulaj.Në qarkun e Kukësit nuk ka ndonjë shifër të saktë të numrit të emigrantëve, por thuhet se janë mbi 12 mijë emigrantë, prej të cilëve rreth 5000 nga rrethi i Hasit, 3000 nga rrethi i Tropojës dhe 4000 nga rrethi i Kukësit. Janë vetë fermerët që pranojnë se të ardhurat nga emigracioni sa vijnë e tkurren. “Të ardhurat nga emigracioni sa vijnë e bien, pasi disa prej emigrantëve kanë krijuar familjen e tyre andej nga Anglia, të tjerë duken të pakënaqur me mënyrën si i shpenzojnë të afërmit paratë që ata dërgojnë”, thotë kryetari i bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka. “Pavarësisht nga kjo, të ardhurat e emigrantëve nuk duhen neglizhuar, janë ato që kanë ndryshuar gjendjen ekonomike të zonës, edhe pse duket se tashmë kanë ndonjë pakënaqësi që duket në rënien e të ardhurave prej tyre”,- vijon bisedën Peka.

Projekti “2KR”, i ndërmarrë prej dy vjetësh nga qeveria shqiptare, synon rikthimin e vëmëndjes së fermerëve ndaj tokës bujqësore. Zbatimi i këtij projekti në qarkun e Kukësit, konsiderohet i rëndësishëm, pasi në këtë rajon rreth 70 për qind e popullsisë banon në fshat.   Kryesorja e këtij projekti është se po rikthen interesin e fermerit për tokën, bile jo vetëm të atij, por edhe të specialistëve. Kështu shprehet drejtori rajonal i bujqësisë, Shefqet Elezi. Projekti ka nxitur interesin e fermerëve për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me vreshta e pemë, ka nxitur interesin që toka të mos mbetet djerrë. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, ngritja e blloqeve të pemëtarisë dhe e vreshtave si dhe futja në përdorim e metodave bashkëkohore në procesin e ujitjes të të mbjellave, që janë synimi kryesor i projektit “2 KR” në qarkun e Kukësit, kanë sjellë ndryshime të ndjeshme. Është një projekt që po ndikon jo vetëm në rritjen e interesit të fermerëve për t’iu rikthyer punimit të tokës bujqësore, për rritjen e të ardhurave nga bujqësia e pemëtaria, por edhe që po nxit mendimin krijues të fermerëve, pasi janë vetë ata që përgatisin projektet që mendojnë se janë më rentable. Ndërsa specialistët e bujqësisë kryejnë vetëm rolin e këshilltarit teknik në të gjitha fazat e zbatimit.     

Investimet që po kryhen përmes projektit “2 KR” synojnë arritjen e disa objektivave. Jo thjesht rikthimin e interesit të fermerëve për punimin e tokës bujqësore, por edhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga bujqësia, blegtoria e pemëtaria. Mjafton të kujtojmë se vetëm 2 vjet më parë masivi i gështenjës në Tropojë, më i madhi në Ballkan, në rreth 20 për qind të sipërfaqes prej mbi 2000 ha, ishte i përfshirë nga sëmundja e kancerit, sëmundje kjo tashmë thuajse e zhdukur. Po ashtu, brenda dy viteve të fundit sipërfaqja e mbjellë me arra, kumbulla e mollë është rritur me afro 50 për qind. Pozitiv është fakti se nga specialistët janë marrë të gjitha masat që çdo investim i kryer të mos shkojë dëm. Për këtë pranë zyrave të bujqësisë të të 3 rretheve të qarkut janë ngritur grupe pune më specialistë të fushës për t’u dhënë ndihmën teknike fermerëve në të gjitha fazat e zbatimit të projekteve që kanë përfituar. Edhe pse realiteti i investimeve të kryera në këto dy vjet do të mund të shihet vetëm pas disa vjetësh, kur blloqet e pemëve e të vreshtave të hyjnë në prodhim.

Kukës, nga projekti “2KR” përfitojnë 90 fermerë

Të paktën 90 fermerë në qarkun e Kukësit kanë përfituar këtë vit fonde nga qeveria shqiptare, në kuadër të projektit 2KR, një projekt që zbatohet për të dytin vit me radhë në shkallë vendi. Drejtori rajonal i bujqësisë, Shefqet Elezi, tha se këtë vit u paraqitën më shumë se 120 projekte, 90 prej të cilave u përzgjodhën si më të mirat. 34 fermerë përfitues janë nga rrethi i Tropojës, 35 nga rrethi i Hasit dhe të tjerët nga rrethi i Kukësit, të cilët  kanë nisur të zbatojnë projektet përkatës. “Fondi i akorduar për këtë vit arrin në 25 milion lekë dhe do të përdoret kryesisht  për shtimin e sipërfaqes me vreshta e pemëtore”, sqaroi drejtori Elezi, sipas të cilit, deri në fund të vitit parashikohet që fermerët e qarkut të Kukësit të mbjellin 72 ha vreshta dhe 6,5 ha pemëtore. Për ecurinë sa më të mire të projekteve drejtoria rajonale e bujqësisë po organizon takime të vazhdueshme me fermerët përfitues, këshillime për fazat e punës dhe teknologjitë që duhet përdorur. Investimet për këtë vit janë përqëndruar edhe në futjen e teknologjive të reja të ujitjes së pemëtoreve dhe në ngritjen e fermave blegtorale me jo më pak se 10 lopë, me kusht që prodhimin ta dorëzojnë në qendrat e përpunimit të regjistruara në degën e tatim taksave, për mbarështrimin e të imtave deri në 150 krerë, me fond prej 50 mijë lekësh e mbi 150 krerë, me fond prej 100 mijë lekësh. Për futjen e teknologjive të reja në ujitjen e të mbjellave është parashikuar një fond prej 3 milion lekësh, ndërkohë që për herë të parë këtë vit fermerët e zonave të thella të këtij qarku do të ndihmohen me fonde edhe për shtegtimin në kushte normale të blegtorisë në periudhën e dimrit. “Përmes një fondi tjetër, prej 4,6 milion lekësh, këtë vit do të kryhet dhe matrikullimi i 26 mijë krerë gjedh të qarkut”, vijoi drejtori Elezi. Janë këto investime që po rikthejnë interesin e fermerëve për punimin e tokës bujqësore me synim rritjen e shpejtë të të ardhurave nga bujqësia, blegtoria e pemëtaria. Pozitiv është fakti se nga specialistët janë marrë të gjitha masat që çdo investim i kryer të mos shkojë dëm. Për këtë, pranë zyrave të bujqësisë të të 3 rretheve të qarkut, janë ngritur grupe pune më specialistë të fushës për t’u dhënë ndihmë teknike fermerëve në të gjitha fazat e zbatimit të projekteve që kanë përfituar. Ky është viti i dytë i zbatimit të projektit “2 KR” në qarkun e Kukësit. Vitin e kaluar nga ky projekt përfituan 111 fermerë të qarkut, kryesisht në ngritjen e blloqeve me pemë e vreshta.

Durrës, 141 është numri i fermerëve përfitues nga projekti “2KR”

Rreth 141 fermerë nga qarku i Durrësit dhe Krujës do të përfitojnë nga fondi prej 81 milion lekësh që qeveria shqiptare ka akorduar për këtë vit në kuadër të projektit “2KR”. Drejtori rajonal i BUMK-së, Jonuz Tafili, tha se “36 milion lekë nga shuma e përgjithshme do të shfrytëzohen në sektorët e vreshtave dhe pemtarisë”. Sipas Tafilit, rreth 200 fermerë të komunave dhe disa bashkive të Durrësit dhe Krujës paraqitën disa javë më parë aplikimet e tyre për të përfituar mbështetje financiare në sektorë të ndryshëm në kuadër të projektit ‘2KR’. Ai shtoi se fermerët fitues janë të shpërndarë në të gjithë komunat e qarkut, çka përbën një shembull të mirë edhe për familjet e tjera fshatare. Drejtori Tafili tha se kushti kryesor për fermerët aplikantë ka qenë sipërfaqja prej më shumë se 5 dynym që duhet të përfshihet në trajtimin bujqësor të financuar nga shteti. Fermerët kanë aplikuar në sektorët e vreshtarisë, pemtarisë, ullishtave, produkteve BIO, prodhimit të vajit ekstraverxhine, prodhimet në sera etj, ndërsa aktualisht specialistët e shërbimit këshillimor po vëzhgojnë nga afër kushtet e fermave fituese nga projektet.

“Gjatë vitit 2007 kanë përfituar nga projektet e skemës mbështetëse të bujqësisë 155 fermerë të rajonit Durrës-Krujë”, tha drejtori Tafili.  Ai nënvizoi se projektet e shërbimit këshillimor janë zbatuar kryesisht në vreshtari, pemëtari dhe në ullishte. 125 prej tyre janë realizuar në rrethin e Durrësit, ku fermerët kanë shtuar sipërfaqet me mbi 61 ha vreshta, ullinj dhe drufrutorë të ndryshëm. 17 ha të tjerë në rrethin e Krujës janë bërë objekt i këtyre projekteve për 30 fermerë në vreshtari dhe pemëtari.

Burimet thanë se tashmë në rrethin bregdetar janë formuar edhe shoqatat e fermerëve, mes të cilave dallohet ajo e vreshtarëve të fshatit Koxhas, e cila realizon ciklin e mbyllur të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit dhe shoqata e prodhimit të fidaneve të hardhisë “Kulla”. Gjatë vitit 2007 në rajonin Durrës-Krujë, krahasuar me vitin paraardhës, ka patur një rritje të prodhimit të vreshtarisë prej 10.1 për qind, të drufrutorëve në 47.6 për qind dhe në agrume prej 71.3 për qind,  tha Tafili.

Drejtori Tafili vuri në dukje se vitet e fundit ka marrë një zhvillim cilësor kultivimi i perimeve në mjedise të mbrojtura, gjë që ka sjellë ndryshime pozitive në prodhimet e hershme dhe në indeksin e cilësisë së tyre. 203 fermerë në rrethin e Durrësit dhe 56 të tjerë në rrethin e Krujës zotërojnë së bashku një sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 47 ha me sera me ngrohje qendrore dhe me sera diellore. Sipas Tafilit, gjatë vitit 2008 janë mbjellë 93 për qind e sipërfaqes së serave, ku më shumë se dy të tretat janë mbjellë me domate, ndërsa pjesa tjetër me kastraveca dhe barbunja. “Përmirësimi dhe financimi i ndryshimit të sistemit të ngrohjes në sera, të cilat falë programit “2KR” tashmë përdorin solarin në vend të naftës, si dhe heqja e akcizës për solarin ka ulur shpenzimet e fermerëve 2-3 herë”, përfundoi drejtori Tafili.

Fermerët e qarkut të Durrësit kultivojnë çdo vit afro 2540 ha me perime me një rendimet mesatar prej 240 kuintal per ha. Sipas Tafilit, sipërfaqja e tokës së mbjellë me perime përbën rreth 9.8 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të mbjellë me kultura bujqësore. Ai shtoi se prodhimi i përgjithshëm i perimeve vitin e kaluar arriti në 65 mijë ton, duke garantuar një furnizim normal të tregut të brendshëm në bazë qarku dhe duke minimizuar importin e tyre vetëm në periudhën e dimrit. “59 për qind e perimeve i drejtohet tregut për konsum të freskët, 9 për qind janë perimet e thata si qepë e hudhra, ndërsa 32 për qind të tjera i zenë bostanet”, saktësoi Tafili.

Mbështetja e fermerëve nga shteti është një nismë që i shërben jo vetëm aplikantëve fitues, por të gjithë fermerëve të vegjël, interesi i të cilëve për shfrytëzimin e sipërfaqeve bujqësore po rritet çdo ditë. Dr. i shkencave bujqësore, Lutfi Isufaj,  tha se “vetëm në lagjen Abaze të qytetit të Krujës ka mbi 10 mijë rrënjë ullinj, trajtimi masiv i të cilëve me pesticide kundër mizës dhe infeksioneve të tjera bëhet më i lehtë për shkak të përqendrimit të numrit të rrënjëve. Njohja paraprake e gjëndjes nga ana e kompanisë fituese që do të kryejë dezinfektimet masive në kushtet e mira që ka lulëzimi i ullirit në këtë fillim sezoni, është e domosdoshme si premisë për rezultatin përfundimtar të projektit”, theksoi Isufaj.

Ai sqaron se miza rrit aciditetin e vajit të ullirit, duke shkatërruar edhe tulin e ullinjve që shërbejnë veçanërisht si ullinj “krypës” për servirje në tavolinë. Sipas tij, përzgjedhja e një zone me një numër të madh të fermerëve, lehtëson arritjen e synimit për zhdukjen e mizës së ullirit, si dhe jep një shembull të mirë për të gjithë fermerët e tjerë të rajonit. Dr. Isufaj shton se në këtë zonë 70 për qind e prodhimit të ullirit shkon për vaj, ndërsa varietetet “krypës”, “kalinjot”, “nisiot” apo “frontoja” përdoren në tavolina. Dr. Isufaj e sheh të domosdoshëm forcimin e shërbimit këshillimor, aq i kërkuar nga fermerët, duke sjellë shembujt e prof. Abdulla Kapidanit, që megjithëse nuk bën pjesë në strukturat zyrtare, jep përvojën e tij të pasur thuajse në të gjithë vendin, apo Ndrecë Totrri, i cili është një nga agronomët më të kërkuar nga fermeret në zonën e Fushë Krujës dhe Krujës. “Krijimi i bërthamave të vogla shkencore është një përvojë e vendeve fqinje, që duhet shfrytëzuar”, tha dr Isufaj. Ai thotë se metodat e përdorura për luftën ndaj parazitëve duhen përqëndruar në përdorimin e pesticideve bashkëkohore dhe që nuk ndikojnë në dëmtimin e mjedisit

 

 

1 Koment

Comments RSS

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: