EKSLUZIVE/ EDHE NË ITALI PROSTITUTAT E SHKELIN LIGJIN

· FLASH
Autorë

Nga AURORA ALLUSHAJ

Nuk ka kaluar as një javë nga vendimi i fundit i Dhomës së Kuvendit italian, ku u vendos të ndalohet prostituimi në rrugë. Sipas këtij ligji, do të merren masa të rrepta për shkelësit e këtij vendimi. Por nga ana tjetër kanë reaguar në mënyrën e tyre “punonjëset e rrugëve”. Vetëm në qytetin e Romës dhjetë ditë pas miratimit shikohet të përhapet një tjetër modë e shitjes trupore, prostituimi në shtëpi. “Askush nuk do të na ndalë, tashmë e vetmja rrugë për të jetuar është prostituimi”, shprehet Nertila M., një 25-vjeçare nga Berati. Klientela e tyre tashmë do të ketë orare pritjeje në dhomat që këto vajza kanë marrë me qira edhe pse as kjo mënyrë prostituimi nuk është e ligjshme. Disa prej tyre kanë tentuar që të nisin një punë të re, por pa rezultat, pasi nuk janë pranuar. “Nuk mund të kthehemi dot më as në vendin tonë, aty nuk na pret më askush, për familjet ne nuk jetojmë më”, shprehet për gazetën Oriklinda B. “Ne nuk kemi të drejta, por gjithsesi jemi pjesë e shoqërisë, pavarësisht që nuk na pranon”, përfundon ajo.

Investigimi

Nëse do kërkosh që të bësh një xhiro me makinë pas mesnatës në arteriet kryesore të kryeqytetit italian, nuk shikon gjë tjetër veçse femra gjysmë nudo, të bardha, të zeza, shqiptare, rumune, polake, kineze, nigeriane e çdo lloj tjetër race apo kombësie. Makinat e klientëve që vijnë e ikin dhe rinisje të reja për disa euro më shumë. E kanë nisur këtë jetë nga rrenat e personit që kanë dashuruar, nga skamja e familjes a nga ndonjë tjetër rrethanë “detyruese”. Të gjitha pa shpresë për jetën, jetojnë vetëm të sotmen, e nesërmja nuk ekziston, ndoshta nuk do të ketë një të nesërme na përgjigjen. Është ora 23:15 minuta, ditë e diel, kalojmë në rrugën “Palmirio Togliati”, një nga rrugët më të mëdha të Romës. Për çdokënd që viziton kryeqytetin italian, kjo është rruga më e dëgjuar e “pazarit” të seksit. Gjithmonë kjo rrugë është plot, por që nga vendimi i fundit i Parlamentit italian, diçka ka ndryshuar. Kërkojmë të flasim me njërën prej tyre, por largohet me shpejtësi. Disa metra më tej një rumune na afrohet, “kanë frikë nga policia tregon, prandaj largohen, tashmë nuk mund të bëhet më shaka”, shprehet ajo. E pyesim nëse njeh ndonjë shqiptare dhe na tregon nga ana tjetër e rrugës. Afrohemi ngadalë, shikojmë një vajzë të re, mesatare në trup dhe të ëmbël në fytyrë. I flasim shqip dhe i themi të mos largohet. Ajo ndalon dhe na pyet çfarë duam. I themi se jemi gazetarë dhe do t’i bënim vetëm disa pyetje. Pranon. Na tregon se çdo natë dilte me tri shoqe të tjera, por ato tashmë kishin frikë të dilnin në rrugë. “Ato janë të vjetra në këtë punë dhe kanë klientët e tyre që i marrin në shtëpi, unë kam pak kohë që punoj. Më duhet të bëj edhe unë klienta për të mos dalë këtu”, tregon duke fshehur sytë në anën tjetër. Në dorë i dridhet cigarja dhe shikon e trembur përreth, dikush i afrohet, 50 euro përgjigjet vrullshëm dhe hipën në makinë duke na e lënë fjalën në gojë. Ajo ikën dhe ne ngelemi aty, është e njëjta ikje si miliona e miliona të tjera, por sot e pamë nga afër, e ndiem forcën e të vepruarit. Dhe në mendje na përballen mendimet dhe pyesim: Pse?

Historia e njërës prej tyre

“Gjithçka nisi një natë të ftohtë dimri, im atë ushtroi dhunë mbi mua dhe nënën time, dhe unë dola nga shtëpia. Ishte ftohtë dhe lotët më ngrinin në faqe. Nuk mendova asgjë, veçse doja të ikja, por s’kisha asnjë vend ku të shkoja. Hyra në barin e parë që më doli dhe u ula në një tavolinë. Një djalë i ri mu afrua, ishte Spartaku ai që ndryshoi jetën time”. Kështu nis historia e jetës së Anilës, është një roman tamam si ai që lexojmë në netët e gjata të dimrit. U dashurua me një person që i kërkoi të punonte, të bënte punën që kurrë nuk e kishte menduar më parë. “Unë e dua Takun, kam punuar për atë dhe për vete, nuk më ka detyruar, e vendosëm të dy një gjë të tillë”, tregon 30-vjeçarja Anila K. “Nuk e keni ndier ndonjëherë veten të braktisur, pa asnjë, nuk keni ngelur pa një çati ku të fusnit kokën në një natë të ftohtë dimri. Ai më dha gjithçka, më dha jetë nga jeta e tij dhe vazhdon akoma mbas 6 vitesh të jetë i njëjti me mua. Anila, ajo vajza e bukur plot ëndrra për jetën, vdiq atë natë dimri të gjashtë viteve më parë. Ajo nuk është më, në trupin tim është dikush tjetër që ngërdheshet me fatin, me fatin tim”, tregon duke u munduar të fshehë ndonjë pikë loti që i vrapon mbi faqe. Ajo flet dhe në duart e saj që lëvizin nga ankthi duken damarët e zinj, ata kryqëzohen si vijat e jetës, si një labirint i vërtetë, ndoshta si jeta e saj. “Kisha ëndërruar të bëhesha psikologe, ishte ëndrra që pata që fëmijë. E shikoja brenda syve të nënës time forcën e vuajtjes dhe desha ta nxjerr, desha të vras vuajtjen, por ajo më përpiu më pushtoi përgjithmonë. Tashmë mendoj vetëm të sotmen, nuk dua të di sa është data, nuk dua të di më asgjë, sensi i kohës më ka humbur, në fakt ai humbet kur nuk pret më. E vetmja gjë që kërkoj është qetësia, fundi i mendimeve. Ajo i mbaron fjalët dhe për disa momente nuk flasim. Për herë të parë kuptova diçka, dola jashtë asaj që dija, që më kishin mësuar. Kuptova që njeriu është i fortë dhe kjo forcë del në pah në momentin që nuk e pret, por edhe forca e durimi ka një limit”, shprehet Anila.

Ligji

Pas shumë debatesh dhe diskutimesh u vendos nga Parlamenti italian se kushdo që prostituon do të dënohet me ligj. Tashmë për Italinë kushdo që ushtron apo favorizon prostitucion do të dënohet me burg dhe do të gjobitet me një shumë parash. Dënimi nis nga 15 ditë burg deri në dy vjet, ndërsa financiarisht nga 5 qind euro në disa milionë.

Histori

“Anila, ajo vajza e bukur plot ëndrra për jetën, vdiq atë natë dimri të gjashtë viteve më parë. Ajo nuk është më, në trupin tim është dikush tjetër që ngërdheshet me fatin, me fatin tim”, tregon duke u munduar të fshehë ndonjë pikë loti që i vrapon mbi faqe. Ajo flet dhe në duart e saj që lëvizin nga ankthi duken damarët e zinj, ata kryqëzohen si vijat e jetës, si një labirint i vërtetë, ndoshta si jeta e saj.

Për pak para

Makinat e klientëve që vijnë e ikin dhe rinisje të reja për disa euro më shumë. E kanë nisur këtë jetë nga rrenat e personit që kanë dashuruar, nga skamja e familjes a nga ndonjë tjetër rrethanë “detyruese”. Të gjitha pa shpresë për jetën, jetojnë vetëm të sotmen, e nesërmja nuk ekziston, ndoshta nuk do të ketë një të nesërme na përgjigjen. Është ora 23:15 minuta, ditë e diel, kalojmë në rrugën “Palmirio Togliati”, një nga rrugët më të mëdha të Romës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: